Presidenti i Ukraina, Volodymyr Zelensky, ka njoftuar një reformë të gjerë të forcave të armatosura, e cila do të përqendrohet në përmirësimin e kushteve për ushtarët dhe rritjen e motivimit në vijën e frontit.
Reforma, që pritet të nisë zbatimin në muajin qershor, parashikon rritje të ndjeshme të pagave për personelin ushtarak, veçanërisht për trupat që janë të angazhuara drejtpërdrejt në luftime. Sipas planit, pagat për këmbësorinë mund të arrijnë deri në 400 mijë hrivnia, ndërsa për pozicionet në prapavijë do të vendoset një nivel minimal.
Ndryshime të rëndësishme do të ketë edhe në sistemin e rekrutimit dhe në kushtet e shërbimit. Autoritetet synojnë të krijojnë kontrata më të qarta dhe më të parashikueshme, si dhe të hapin rrugën për lirimin gradual të ushtarëve të mobilizuar prej kohësh.
Sipas presidentit, kjo reformë është e domosdoshme për të përballuar sfidat e vazhdueshme të luftës dhe për të ruajtur moralin e trupave. Ai theksoi se përvoja dhe kontributi i komandantëve në vijën e frontit duhet të vlerësohen më shumë.
Njoftimi vjen në një moment kritik për ushtrinë ukrainase, e cila përballet me mungesë personeli dhe presion të vazhdueshëm në front, duke e bërë reformën një hap kyç për funksionimin dhe qëndrueshmërinë e saj në vijim.
