Një rrjet i madh kriminal që operonte përmes call center-ave në Tirana është goditur pas një hetimi ndërkombëtar të koordinuar nga Europol dhe Eurojust, në bashkëpunim me autoritetet shqiptare dhe austriake.
Operacioni, që zgjati mbi dy vite, çoi në arrestimin e 10 personave, kontrollin e disa ambienteve dhe sekuestrimin e rreth 900 mijë eurove cash, së bashku me qindra pajisje elektronike.
Sipas Europol, rrjeti kishte ndërtuar një strukturë të mirëorganizuar, që funksiononte si një kompani e ligjshme, me ndarje të qartë rolesh – nga specialistët e IT-së dhe agjentët e komunikimit, deri te menaxherët dhe drejtuesit e përgjithshëm.
Viktimat josheshe përmes reklamave të rreme në internet dhe rrjete sociale, ku u ofroheshin mundësi investimi “fitimprurëse”. Pasi regjistroheshin, ata kontaktoheshin nga agjentë që prezantoheshin si këshilltarë financiarë. Këta agjentë fitonin besimin duke komunikuar në gjuhën e viktimës dhe përdornin presion psikologjik për t’i shtyrë drejt investimeve të reja, ndërsa në disa raste merrnin kontroll mbi pajisjet e tyre përmes programeve në distancë.
Në realitet, fondet e investuara nuk përdoreshin për asnjë aktivitet financiar, por transferoheshin në një rrjet ndërkombëtar për pastrim parash.
Rrjeti operonte me ekipe të specializuara sipas gjuhëve dhe tregjeve, duke synuar vende të ndryshme europiane dhe më gjerë. Në total, organizata përfshinte deri në 450 punonjës dhe kishte departamente të dedikuara për IT, financë, burime njerëzore dhe shërbim ndaj klientit.
Dëmi financiar i shkaktuar nga kjo skemë vlerësohet të jetë mbi 50 milionë euro, ndërsa viktimat janë identifikuar në disa shtete, përfshirë Gjermaninë, Italinë, Greqinë, Spanjën, Kanadanë dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Hetimi nisi nga autoritetet austriake në vitin 2023 dhe më pas u zgjerua në Shqipëri. Aksioni final u zhvillua më 17 prill 2026, ku u kryen bastisje në disa qendra dhe banesa private.
Gjatë operacionit u sekuestruan 891,735 euro cash, 443 kompjuterë, 238 telefona dhe pajisje të tjera digjitale, që dyshohet se përdoreshin në aktivitetin kriminal. Autoritetet theksojnë se ky rast evidenton nivelin e lartë të organizimit të krimit kibernetik dhe sfidat që paraqet në luftën kundër mashtrimeve financiare ndërkombëtare.
