SPAK thellon hetimet ndaj Belinda Balluku, kontrolle edhe në banesat e familjarëve për dosjen e tenderave

Data

SPAK ka intensifikuar hetimet ndaj ish-zëvendëskryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, në kuadër të dyshimeve për abuzime me tendera me vlera qindra miliona euro.

Sipas burimeve pranë organit të akuzës, me vendim gjykate janë miratuar të paktën 15 kontrolle në ambiente të ndryshme, përfshirë edhe banesa të familjarëve dhe personave të lidhur me të. Kontrollet janë pjesë e hetimeve që po zhvillohen jo vetëm për procedurat e tenderimit, por edhe për verifikimin e pasurive.

Një nga kontrollet është ushtruar në banesën e një të afërmi të saj, i cili rezulton i përfshirë si ortak në disa kompani tregtare. Gjatë operacioneve, janë sekuestruar celularë dhe dokumente, që sipas prokurorëve mund të ndihmojnë në zbardhjen e skemës së dyshuar.

Hetimet lidhen kryesisht me tenderin për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, si dhe me disa lote të Unaza e Madhe e Tiranës, projekte që përfshijnë fonde të konsiderueshme publike.

Ndaj Belinda Balluku janë në fuqi dy masa sigurie: ndalimi për të dalë jashtë vendit dhe pezullimi nga ushtrimi i funksioneve publike. Më herët, kërkesa e SPAK për arrestimin e saj është rrëzuar nga mazhoranca në Kuvend.

Në kuadër të hetimeve, prokurorët kanë kërkuar edhe informacion nga jashtë vendit përmes letërporosive, duke synuar të ndjekin rrjedhën e mundshme të fondeve dhe lidhjet financiare.

Zhvillimet e fundit tregojnë se çështja ka hyrë në një fazë të re hetimore, ndërsa mbetet për t’u parë nëse SPAK do të paraqesë sërish kërkesë për arrestimin e ish-numrit dy të qeverisë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related