Shërbimet zjarrfikëse të Kukësit dhe Prizrenit po zbatojnë një projekt të përbashkët ndërkufitar që synon të rrisë mbrojtjen nga zjarret në zonën përgjatë kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Sipas Komandantit të Njësisë Profesionale të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit në Prizren, Flamur Hoti, projekti parashikon rehabilitimin dhe mirëmbajtjen e rreth 5.4 kilometrave të brezit ndarës të gjelbër përgjatë ish-klonit kufitar. Në kuadër të tij do të pastrohet bimësia e thatë në një gjerësi prej rreth 6 metrash, me qëllim krijimin e një korridori mbrojtës që ndihmon në kufizimin e përhapjes së zjarreve nga njëri territor në tjetrin.
Hoti theksoi se iniciativa është rezultat i bashkëpunimit të vazhdueshëm mes shërbimeve zjarrfikëse të dy qyteteve, të cilat kanë zhvilluar takime koordinuese dhe kanë bashkëpunuar në ndërhyrjet për shuarjen e zjarreve në zonën kufitare.
Sipas tij, gjatë vitit të kaluar zjarrfikësit e Prizrenit morën pjesë në shuarjen e tre vatrave të zjarrit në brezin kufitar, ndërsa deri më tani gjatë këtij viti nuk është raportuar asnjë rast i ngjashëm në këtë zonë.
Bashkëpunimi mbështetet edhe nga marrëveshjet mes Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave të Kosovës dhe Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile të Shqipërisë, të cilat prej vitesh bashkërendojnë veprimet në fushën e menaxhimit të emergjencave, mbrojtjes civile dhe parandalimit të zjarreve.
