Sekretari i Përgjithshëm i Këshilli për Bashkëpunim Rajonal, Amer Kapetanović, ka ngritur alarmin për një mungesë të madhe të fuqisë punëtore në Ballkanin Perëndimor gjatë viteve në vijim.
Duke folur në forumin e biznesit në Prishtinë, ai deklaroi se mbi 190 mijë vende pune mund të mbeten të paplotësuara brenda pesë viteve të ardhshme, duke reflektuar një problem serioz strukturor në ekonomitë e rajonit.
Sipas tij, rritja ekonomike aktuale nuk është e mjaftueshme për zhvillim të qëndrueshëm, pasi bazohet në modele të vjetra si puna e lirë, remitancat, ndërtimi dhe shpenzimet publike. Kapetanović theksoi se ky model nuk mund të përballojë më sfidat e së ardhmes.
Një tjetër shqetësim madhor është produktiviteti i ulët, i cili në rajon mbetet rreth 40% e mesatares së Bashkimi Evropian, duke e bërë të vështirë afrimin real me ekonomitë europiane.
Ai paralajmëroi gjithashtu për ndikimin e faktorëve demografikë, duke theksuar se popullsia në moshë pune pritet të bjerë ndjeshëm deri në vitin 2050, çka do të thellojë më tej mungesën e fuqisë punëtore.
Në këtë kontekst, Kapetanović vuri në dukje rëndësinë e iniciativave si Tregu i Përbashkët Rajonal, si një mjet për të rritur konkurrueshmërinë dhe për të krijuar kushte për rikthimin e kapitalit njerëzor në rajon.
Sipas tij, vendet e Ballkanit përballen me një zgjedhje të qartë: të reformojnë modelin ekonomik drejt produktivitetit dhe integrimit, ose të përballen me një krizë të thelluar të tregut të punës dhe stagnim afatgjatë.
