Gazetari Artan Hoxha ka dhënë detaje të reja lidhur me atentatin e ndodhur në Balldren të Lezhës ndaj çiftit Kreshnik dhe Gentjana Mujeci, një ngjarje që ka tronditur opinionin publik.
Sipas tij, autorët kanë përdorur armë automatike të tipit kallashnikov dhe kanë qëlluar me breshëri, çka e ka bërë të pashmangshme edhe vrasjen e bashkëshortes së objektivit. Hoxha theksoi se viktima ishte nën vëzhgim prej kohësh dhe lëvizjet e tij ishin studiuar me kujdes.
Ai shtoi se një nga arsyet pse autorët nuk arritën ta godisnin më herët ishte fakti që Kreshnik Mujeci nuk lëvizte pothuajse asnjëherë pa bashkëshorten. Kjo situatë, sipas gazetarit, ka bërë që atentatorët ta godasin çiftin së bashku, edhe pse gruaja nuk ishte objektiv i drejtpërdrejtë.
Ngjarja ndodhi pranë banesës së viktimës, në një rrugë të ngushtë që e vështirësonte manovrimin. Sipas skemës së përshkruar, në atentat janë përdorur të paktën dy automjete, ku njëri i ka prerë rrugën makinës së viktimës dhe më pas është hapur zjarr.
Hoxha theksoi gjithashtu se numri i madh i të shtënave dhe mënyra e ekzekutimit tregojnë për një akt hakmarrjeje, duke shtuar se autorët mund të kenë qenë të rinj dhe jo plotësisht profesionistë, çka shpjegon intensitetin e sulmit.
Deklaratat e tij hedhin dritë mbi një ngjarje që po hetohet për lidhje të mundshme me konflikte të mëparshme dhe aktivitete kriminale, ndërsa autoritetet vijojnë punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
