Kryeministri i Kosovë, Albin Kurti, ka akuzuar opozitën për bllokim të qëllimshëm të procesit për zgjedhjen e presidentit, duke e cilësuar situatën si një krizë të nxitur nga refuzimet e vazhdueshme për bashkëpunim.
Sipas Kurtit, përpjekjet e shumicës për të arritur një konsensus kanë qenë të vazhdueshme, ndërsa nga opozita ka pasur vetëm refuzime. “Ne propozojmë, ata refuzojnë,” u shpreh ai, duke theksuar se janë bërë disa oferta konkrete për zgjidhje.
Ai bëri të ditur se ka ftuar në takime drejtuesit e partive opozitare, përfshirë Lumir Abdixhiku dhe Bedri Hamza, por sipas tij, nuk është paraqitur asnjë alternativë nga ana e tyre.
Kurti shtoi se shumica parlamentare ka shkuar deri aty sa t’i kërkojë opozitës të propozojë tre kandidatë për president, duke u shprehur e gatshme të mbështesë një prej tyre, por edhe kjo nismë, sipas tij, është refuzuar.
Në përpjekje për të zhbllokuar situatën, ai përmendi edhe propozimin e dy emrave të rinj për postin e presidentit, Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha, për të cilat tha se ekziston mbështetje shoqërore.
Megjithatë, kryeministri kritikoi qëndrimin e opozitës, duke theksuar se ajo jo vetëm që nuk merr pjesë në seanca, por refuzon edhe debatet parlamentare dhe takimet politike.
Sipas Kurtit, kjo situatë rrezikon të çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja, gjë që do të kishte kosto financiare dhe institucionale për vendin.
Ai u bëri thirrje partive opozitare që të rikthehen në Kuvend dhe të marrin pjesë në proces, duke theksuar rëndësinë e zgjedhjes së presidentit për stabilitetin institucional të Kosovës.
