Gazetarja Anila Hoxha ka dhënë detaje mbi procedurat që pritet të ndiqen për ekstradimin e Ervin Mata, i arrestuar në Brazil dhe i akuzuar për përfshirje në trafikun ndërkombëtar të kokainës.
Sipas saj, hapi i parë do të ndërmerret nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, institucioni që e ka shpallur Matën në kërkim ndërkombëtar.
Hoxha theksoi se një element kyç në këtë proces është ekzistenca e një marrëveshjeje ekstradimi mes Shqipëri dhe Brazil. Në mungesë të saj, procedurat mund të zhvillohen përmes marrëveshjeve reciproke mes dy vendeve.
Ajo sqaroi gjithashtu se autoritetet braziliane do të verifikojnë më parë situatën ligjore të Matës në territorin e tyre. Nëse ai rezulton me probleme ligjore në Brazil, ai mund të përballet fillimisht me drejtësinë vendase përpara se të shqyrtohet ekstradimi.
“Nëse Mata ka çështje në Brazil, autoritetet atje do të vendosin nëse ai do të gjykohet fillimisht në atë shtet dhe më pas të ekstradohet,” u shpreh Hoxha.
Ndërkohë, SPAK pritet të përgatisë dokumentacionin e nevojshëm për të nisur zyrtarisht procedurat e ekstradimit, proces që mund të zhvillohet në një kohë relativisht të shpejtë nëse plotësohen kushtet ligjore.
Arrestimi i Matës ka rikthyer vëmendjen te rrjetet e trafikut ndërkombëtar të drogës dhe bashkëpunimi mes autoriteteve ligjzbatuese në disa vende për goditjen e tyre.
