Ish-presidenti Ilir Meta ka reaguar përmes një interviste të zhvilluar me Komitetin e Helsinkit, duke folur për kushtet e tij në paraburgim dhe procesin gjyqësor ndaj tij.
Meta deklaroi se, ndonëse përballët me kufizime, gjendja e tij fizike, shëndetësore dhe mendore është “më e mirë se kurrë”. Ai theksoi se merret rregullisht me aktivitet fizik brenda qelisë, të cilën e përshkroi si të përshtatur për ushtrime.
“Gjendja ime fizike, shëndetësore dhe mendore është më e mirë se kurrë,” u shpreh ai, duke shtuar se aktiviteti i përditshëm dhe dieta e ndihmojnë të qëndrojë në formë.
Megjithatë, ai ngriti shqetësime për trajtimin e tij në institucionin e paraburgimit, duke pretenduar se nuk trajtohet njësoj si të burgosurit e tjerë. Sipas tij, ndryshe nga të tjerët, ai kryen vetëm një herë në ditë ajrosje.
Në intervistë, Meta kritikoi edhe zhvillimet në Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), duke kundërshtuar përdorimin e kafazit të xhamtë në sallën e gjyqit dhe refuzimin për transmetim të drejtpërdrejtë të seancave.
Ai argumentoi se këto elemente ndikojnë negativisht në procesin gjyqësor dhe në mundësinë për një mbrojtje efektive, duke përmendur vështirësi në komunikimin me avokatin dhe dëgjimin e seancës.
Meta gjithashtu kërkoi më shumë transparencë në proces, duke theksuar se një gjykim i hapur për publikun do të ndihmonte në informimin e drejtë të qytetarëve mbi çështjen.
Deklaratat e tij vijnë në një moment kur procesi ndaj tij në GJKKO po ndiqet me vëmendje të lartë publike dhe politike.
