Kryeministri Edi Rama ka theksuar ndryshimin rrënjësor të sektorit energjetik në Shqipëri, duke e krahasuar situatën aktuale me periudhat e mëparshme kur furnizimi me energji ishte një sfidë e vazhdueshme.
Sipas tij, vendi ka kaluar nga një sistem i brishtë dhe i keqmenaxhuar në një model që synon siguri energjetike dhe zhvillim ekonomik afatgjatë.
“Dikur luftonim për të mbajtur dritat ndezur, ndërsa sot energjia përcakton sigurinë, fuqinë ekonomike dhe ambicien për vendin që duam të jemi në Europë dhe rajon,” u shpreh Rama.
Ai kujtoi se në të kaluarën sistemi energjetik ishte në prag kolapsi financiar dhe karakterizohej nga padrejtësi, ku një pjesë e qytetarëve paguante për pjesën tjetër. Ndërsa sot, sipas tij, funksionon parimi që çdo konsumator paguan për energjinë që përdor.
Kreu i qeverisë nënvizoi edhe objektivin strategjik të Shqipërisë për të kaluar nga një ekonomi e varur kryesisht nga burimet hidrike, në një vend eksportues të energjisë së rinovueshme.
Në këtë kuadër, ai theksoi rolin kyç që pritet të luajë Vlorë, e cila sipas tij do të shndërrohet në një nyje të rëndësishme energjetike për Europën Juglindore.
Deklaratat e Ramës vijnë në një moment kur Shqipëria po synon të forcojë pozicionin e saj në tregun rajonal të energjisë, përmes investimeve në burime të rinovueshme dhe projekte strategjike infrastrukturore.
