Balliu bllokohet te burgu 313, s’lejohet të takojë Metën: “Drejtori s’i bindet as kryetarit të Kuvendit”

Data

Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, është ndaluar këtë të martë të hyjë në Burgu 313, ku synonte të kryente një inspektim dhe të takonte ish-presidentin Ilir Meta.

Sipas deklaratës së tij për mediat, ndalimi ka ndodhur pavarësisht se ai kishte njoftuar paraprakisht drejtorinë e burgut për vizitën. Në momentin e paraqitjes, drejtori i institucionit i ka kërkuar një autorizim nga Niko Peleshi, kryetar i Kuvendit, një kërkesë që Balliu e cilësoi të paligjshme.

Deputeti tha se në prani të drejtorit ka telefonuar vetë Peleshin, i cili sipas tij ka konfirmuar se një autorizim i tillë nuk kërkohet dhe se deputetët kanë të drejtë ligjore të kryejnë inspektime pa leje shtesë. Megjithatë, edhe pas këtij sqarimi, drejtori i burgut ka refuzuar hyrjen, duke iu referuar urdhrave të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Balliu e cilësoi situatën si “shkelje të hapur të ligjit” dhe deklaroi se do të bëjë kallëzim penal ndaj përgjegjësve, duke theksuar se i është mohuar e drejta për të ushtruar detyrën si deputet.

Ai ngriti gjithashtu akuza se ndalimi synon të fshehë kushtet në burg dhe trajtimin ndaj Metës, të cilin e quajti “të burgosur politik”. Sipas tij, institucione si SPAK i kanë konfirmuar me shkrim të drejtën për të kryer inspektime në institucione shtetërore, përfshirë burgjet.

Ngjarja vjen në një moment kur debati për kushtet në burgje dhe trajtimin e figurave politike të paraburgosura është intensifikuar në opinionin publik.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related