Një ditë pas aksidentit të rëndë në aksin rrugor Elbasan-Librazhd, pranë Xibrakë, policia ka arrestuar drejtuesin e mjetit që dyshohet se shkaktoi përplasjen me pasojë një viktimë dhe disa të plagosur.
Sipas njoftimit zyrtar të Policia e Shtetit, në pranga ka rënë 26-vjeçari me inicialet V.M., banues në Pogradec, i akuzuar për “shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor” me pasojë vdekjen.
Si pasojë e përplasjes së fortë mes dy automjeteve, humbi jetën shtetasi kinez Li Jianhong Old, rreth 60 vjeç, i cili ishte drejtues i mjetit tjetër. Në aksident mbetën të plagosur edhe disa persona, përfshirë pasagjerë që udhëtonin me të dyja mjetet, por fatmirësisht janë jashtë rrezikut për jetën.
Ngjarja ndodhi rreth orës 14:50 dhe shkaktoi kaos në qarkullim, duke bllokuar për disa orë rrugën kombëtare. Në vendngjarje ndërhynë menjëherë autoambulanca dhe forcat zjarrfikëse për të nxjerrë të plagosurit nga mjetet e dëmtuara rëndë.
Ndërkohë, grupi hetimor vijon punën për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.
