Kriza në Ngushtica e Hormuzit po jep pasoja të drejtpërdrejta edhe në Europë, ku Bashkimi Evropian paralajmëron ndërprerje të konsiderueshme të udhëtimeve ajrore për shkak të mungesave të mundshme të karburantit.
Komisioneri për Transportin, Apostolos Tzitzikostas, theksoi se aktualisht situata është nën kontroll, por çmimet e karburantit janë dyfishuar dhe shumë linja ajrore kanë pezulluar fluturime për arsye ekonomike. Nëse bllokada vazhdon, mungesat reale mund të shfaqen pas muajit qershor.
Autoritetet europiane po monitorojnë çdo ditë rezervat e karburantit dhe kanë paralajmëruar tre skenarë të mundshëm:
Skenari i mirë
Nëse konflikti përfundon shpejt dhe ngushtica rihapet, furnizimi do të stabilizohet gradualisht. Megjithatë, çmimet e biletave do të mbeten të larta për disa muaj, pasi zinxhiri i furnizimit kërkon kohë për t’u rikuperuar.
Skenari i keq
Një zgjidhje e pjesshme do të sillte furnizim të paqëndrueshëm dhe çmime të larta. Fluturimet më pak fitimprurëse, sidomos ato rajonale, do të anulohen të parat. Kompani si Lufthansa kanë paralajmëruar tashmë shkurtime të mëdha në oraret e tyre.
Skenari më i keq
Nëse lufta vazhdon gjatë verës dhe trafiku detar mbetet i bllokuar, Europa mund të përballet me racionim të karburantit për avionë. Kjo do të çonte në kufizime të forta të fluturimeve dhe ndryshim të madh të tregut ajror.
Ekspertët paralajmërojnë se kriza mund të ndikojë drejtpërdrejt tek qytetarët përmes çmimeve më të larta dhe reduktimit të opsioneve të udhëtimit, ndërsa institucionet europiane po përgatisin plane emergjence për të përballuar një situatë të zgjatur.
