Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për protestat, duke sulmuar qytetarët që dalin në shesh dhe kërkojnë largimin e tij nga pushteti.
Më në atë një statusi të gjatë në Facebook, Rama i drejtohet një protestuesi të ulur në shkallët e kryeministrisë, duke pretenduar se ai është lënë vetëm pasi është përdorur nga të tjerët për të krijuar një iluzion revolucioni.
Sipas Ramës, protestuesit janë shndërruar në “proletariatin e algoritmit”, ndërsa algoritmet e rrjeteve sociale prodhojnë zemërim, përçarje dhe varësi për përfitime të të tjerëve.
“Influencerat, blogerat e kullerat që të bënë të ndjehesh heroi i tyre, duke të dhënë për herë të parë në jetë ndjesinë dehëse të pushtetit që ka shpirti i luftëtarit të dalë nga radhët e popullit mbi të kamurit, të famshmit, të njohurit dhe pse jo, troç, edhe ndjesinë e fortë të mashkullit që si në një përrallë, u bë idhulli i femrave të paarritshme të botës së luksit, kanë fluturuar edhe ata larg, me krahët e orgazmës për vrullin e mbrëmshëm të lajkeve e të follouersave, të cilët hynë në gjinjtë e në shalët e tyre si protestues, por tanimë do të mbeten në listën e tyre si klientë të reklamave për vilat, hotelet, kremrat, parfumet dhe brekët joshëse për skllevërit e algoritmit”, shkruan kreu i qeverisë.
Rama i quan protestuesit qe dalin çdo ditë në shesh si errësira e një mallkimi të vjetër mbi Shqipërinë.
Statusi i plotë
MIRËMËNGJES I DASHUR PROTESTUES
Nuk të shoh si humbësin e një proteste, po si njeriun e mbetur vetëm me bindjet e tij.
Ti i je bashkuar vorbullës thithëse të turmës, sepse beson sinqerisht se po mbron diçka të çmuar.
Ndoshta ti ke frikë se vendi po shkon drejt humnerës. Kapitalistët e huaj do të gllabërojnë natyrën. Zogjtë e rrallë të Shqipërisë do të vdesin. Atdheu yt ka dalë në shitje.
Ose ndoshta ti nuk je i shqetësuar për zogjtë e as nuk e di fare ku bie tamam laguna e Nartës. Po mbase je i zemëruar ngaqë ke një hall tëndin. Hall pune me pronarin që të trajton si robot. S’të paguan orët jashtë orarit. Të jep gjysmën e rrogës në të zezë. Hall shëndeti në familje. Largqoftë me nënën e sëmurë që ka nevojë për ilaçe të shtrenjta. Hall prone me shtëpinë në periferi që ende nuk legalizohet apo me tokën në fshat që ende nuk regjistrohet…
Nuk e di çfarë halli ke tamam. Po di që ke një hall që jo vetëm nuk ta zgjidh askush, po as nuk ta qan kush. Besoje ose jo, po unë e ndjej brengën tënde. Sepse jo vetëm të kuptoj, po edhe të mirëkuptoj, ngaqë jam po aq i zemëruar sa ti me pronarin e pasur që kujton se pasuria i jep të drejtë të sillet si zot i fatit tënd. Me nëpunësin a me drejtorin që atij i shërben pa kushte, ndërsa ty as nuk të hedh sytë. Jam i zemëruar me arrogancën e kujtdo që detyrën ndaj teje e ushtron si pushtet mbi ty.
Por pikërisht sepse brenga jote më dhemb dhe arsyet e tua më gjejnë të bindur për legjitimitetin e tyre, unë nuk të shoh dot ashtu. Vetëm. Si një peshk jashtë ujit, pasi dallga e madhe që e nxorri në breg është tërhequr e tëra. Dhe ata që të thirrën për t’u bërë “deti i Shqipërisë së re”, pa pronarë arrogantë, pa nëpunës që i përulen lekut dhe përbuzin njeriun, pa halle shëndeti e pronash, pa të huaj që investojnë në tokat tona e pa investime private në brigjet tona, pa hiçasgjë që e cënon harmoninë e një vëllazërie të lumtur, sot nuk janë askund.
Ata që në studiot televizive të komentuan mbrëmë me entuziazëm si njeriu i popullit, që më në fund po lan hesapet me qeverinë dhe kryeministrin e korruptuar, ndërkohë që për vete, prej vitesh të gjata paguhen më shumë nën dorë se sa mbi dorë për të shpifur tërë të zezat dhe sharë mua me libër shtëpie, tani po flenë në shtëpitë e bollshme të blera me ulje të forta nga “oligarkët”. Mbi dyshekë të butë të blerë me “lëmoshat” e zeza mijëraeuroshe të këtyre të fundit.
Ata që ranë nga kali i pushtetit në tërë këto vite dhe nuk e panë kurrë tek vetja po tek kali arsyen e rënies, e që gjetën tek ti dritën e shpresave të humbura duke të ngritur në qiell, po pinë me shoshoqin kafet e mëngjesit të herët. Mezi presin që ti sonte të jesh më i zemëruar, më i paduruar, më i çartur në protestën tënde kundër regjimit që i la pa kalë, pa roje, pa vartës. Shkurt pa shijen e pashoqe të pushtetit që sa më i kotë të jesh aq më shumë të mungon.
Influencerat, blogerat e kullerat që të bënë të ndjehesh heroi i tyre, duke të dhënë për herë të parë në jetë ndjesinë dehëse të pushtetit që ka shpirti i luftëtarit të dalë nga radhët e popullit mbi të kamurit, të famshmit, të njohurit dhe pse jo, troç, edhe ndjesinë e fortë të mashkullit që si në një përrallë, u bë idhulli i femrave të paarritshme të botës së luksit, kanë fluturuar edhe ata larg, me krahët e orgazmës për vrullin e mbrëmshëm të lajkeve e të follouersave, të cilët hynë në gjinjtë e në shalët e tyre si protestues, por tanimë do të mbeten në listën e tyre si klientë të reklamave për vilat, hotelet, kremrat, parfumet dhe brekët joshëse për skllevërit e algoritmit.
Ikën edhe karvanet e “diasporës” nga Kosova e Tetova. Të përdorën ty, për të sjellë në Tiranë me vrazhdësinë brutale të hordhive pushtuese, mllefe politike sallahanash të pjesëve të tjera të kombit tonë. Kundër qeverisë tënde në Shqipëri, të cilën ti nuk je asfare i detyruar ta duash. Nuk je as i ndaluar ta luftosh. Por nuk ke as të drejtën të lejosh të tjerë të vendosin për të dhe të flasin në emrin tënd; djemtë e axhallarëve dhe cucat e hallave, nuk vijnë dot në shtëpinë tënde për të vendosur.
Ikën sigurisht, edhe ata që algoritmi dhe partitë e partiçkat e gurëve të hedhur e të duarve të fshehura, i mblodhën për të burgosur Ramën duke e kthyer bulevardin e kryeqytetit të Europës së Ballkanit, në një shesh mesjetar ku turmat e inkuizicionit ulërinin në kor për djegien e gjallë të shtrigave. Ikën qorrallapajt. Ikën ballibullistat. Ikën sypuliturat opozitare që të vinin rrotull duke folur me pasqyrën e tualetit digjital para fytyrës së tyre hipokrite. Ikën karikaturat parlamentare që nxirrnin kokën pas shqiponjës mbi kurrizin tënd
