Ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, i cili ndodhet prej rreth 18 muajsh në paraburgim, është shfaqur me ndryshime të dukshme fizike gjatë seancës së parë gjyqësore ndaj tij.
Pamjet e fundit publike treguan një rënie në peshë dhe transformim në paraqitje, çka ka shtuar interesin për gjendjen e tij shëndetësore.
Për këtë ka folur përfaqësuesi i Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Zylyftar Bregu, i cili dha disa detaje mbi kushtet e jetesës së Metës në qeli.
Sipas tij, Meta qëndron i vetëm dhe ndjek një regjim të veçantë sigurie, ndërsa ka zgjedhur të mos konsumojë ushqimin e ofruar nga burgu.
“Ai refuzon të hajë ‘ushqimin e komandës’ dhe konsumon vetëm ushqimin që i sjell familja një herë në javë,” u shpreh Bregu.
Ky fakt, sipas tij, ndikon në mënyrën e ushqyerjes së përditshme, pasi ushqimi duhet të ruhet për disa ditë. Ndërkohë, ai theksoi se ekzistojnë edhe kufizime në sasinë e ushqimit që mund të sillet nga familjarët.
Një tjetër shqetësim i ngritur nga Meta lidhet me ajrimin. Ai ka pretenduar se nuk i jepet koha e plotë në ambient të hapur.
“Sipas tij, nuk realizon kohën e nevojshme prej dy orësh në ditë dhe kjo reflektohet edhe në gjendjen fizike,” shtoi Bregu.
Gjithashtu, u bë me dije se izolimi i tij në një qeli të veçantë lidhet me një plan masash sigurie të vendosur nga autoritetet e burgjeve.
Çështja e kushteve të paraburgimit dhe gjendjes shëndetësore të Metës pritet të mbetet në vëmendje, ndërsa procesi gjyqësor ndaj tij vijon.
