Qeveria keniane ka konfirmuar se 21 persona kanë vdekur pas një rrëshqitjeje dheu në pjesën perëndimore të vendit, e cila u shkaktua nga reshje të rrëmbyeshme shiu, kurse në shtetin kufitar të Ugandës ka pasur të paktën 4 viktima të tjera.
Ministri i Brendshëm Kipchumba Murkomen tha se trupat ishin transferuar në një pistë ajrore aty pranë, pas rrëshqitjes së dheut në Marakwet East vonë të premten në mbrëmje.
Ai tha në rrjetin X se më shumë se 30 persona rezultojnë ende të zhdukur, pasi familjet e tyre i kanë raportuar, ndërsa 25 persona me lëndime të rënda janë transportuar me helikopter për të marrë kujdes të mëtejshëm mjekësor.
