“A mund të ishte parandaluar atentati?”/ Xhensila Kodra: Një prej autorëve ishte nën vëzhgim policor

Data

Detaje të reja kanë dalë në dritë për atentatin e rëndë në Balldren të Lezhës, ku mbetën të vrarë bashkëshortët Kreshnik dhe Gentiana Mujeci.

E ftuar në një studio televizive, gazetarja Xhensila Kodra deklaroi se një prej autorëve të dyshuar, Adriano Mhillaj, kishte qenë më parë në fokusin e autoriteteve.

Sipas saj, ai ishte shpallur në kërkim disa muaj më parë për një konflikt të armatosur në Shkodër dhe gjatë kësaj kohe ishte mbajtur nën vëzhgim dhe përgjim nga policia.

“Gjithçka nis nga Adriano Mhillaj. Ai ishte në kërkim dhe nuk u arrestua, ndërkohë që ishte nën përgjim,” u shpreh gazetarja.

Nga të dhënat hetimore, rezulton se gjatë kësaj periudhe ai dyshohet të ketë komunikuar me kushëririn e tij, Florian Mhillaj, duke diskutuar për një atentat, pa qenë e qartë për hetuesit se kush ishte objektivi.

Kodra ngriti edhe pikëpyetje mbi mundësinë e parandalimit të ngjarjes, duke theksuar se arrestimi i hershëm i të dyshuarit mund të kishte shmangur krimin.

Sipas saj, përgjimet kishin sinjalizuar përgatitje për një akt të rëndë, por këto indikacione nuk u konkretizuan në kohë për të parandaluar atentatin.

Ngjarja vijon të hetohet, ndërsa pista e gjakmarrjes mbetet një nga drejtimet kryesore të hetimeve.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related