Policia e Shtetit ka vijuar operacionin e koduar “Fati i Lojërave”, duke goditur dy raste të aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit në Kavajë.
Aksioni u ndërmor pas informacioneve operative të siguruara nga strukturat qendrore të policisë. Gjatë kontrolleve në dy ambiente, përkatësisht në lagjen nr. 6 dhe lagjen nr. 1, u zbuluan hapësira të përshtatura si baza për zhvillimin e lojërave të fatit.
Në total u sekuestruan 16 makineta elektronike që përdoreshin për këtë aktivitet të paligjshëm. Sipas policisë, 5 prej pajisjeve u gjetën në ambientin e një 26-vjeçari, ndërsa 11 të tjera në pronësi të një 20-vjeçari.
Të dy personat janë shpallur në kërkim, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokuroria e Durrësit për veprime të mëtejshme ligjore.
Autoritetet bëjnë me dije se vijon puna për lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarve, si dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme.
