Deputeti i opozitës Saimir Korreshi ka publikuar një video-denoncim nga zona e Kadiajt në Lushnjë, ku evidenton gjendjen e rënduar të kanaleve kulluese dhe mungesën e investimeve në infrastrukturë.
Sipas tij, kanalet janë të papastruara dhe janë kthyer në burime ndotjeje, duke u mbushur me fekale dhe mbetje, ndërkohë që fermerët vijojnë të paguajnë taksat për tokën.
Korreshi ngriti gjithashtu pikëpyetje nëse këto problematika i janë bërë të ditura ish-ministres Belinda Balluku gjatë vizitave të saj në zonë.
Në reagimin e tij, deputeti përdor tone kritike ndaj qeverisë, duke theksuar kontrastin mes situatës reale në terren dhe paraqitjeve publike të zyrtarëve.
“Ndërkohë që Balluku pispilloset nëpër Lushnjë, kanalet lëngojnë nga mungesa e investimeve. Janë kthyer në fekale dhe të papastruara, edhe pse njerëzit paguajnë taksë toke”, shprehet ai.
Denoncimi rikthen në vëmendje problematikat e menaxhimit të ujërave dhe infrastrukturës bujqësore në zonat rurale, ku fermerët shpesh përballen me mungesë mirëmbajtjeje dhe investimesh në sistemet kulluese.
