Kryetari i Partia Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar akuza të forta ndaj qeverisë gjatë një takimi me drejtuesit e degëve të Tiranës, duke e cilësuar situatën politike në vend si “të paprecedentë”.
Gjatë fjalës së tij, Berisha deklaroi se Edi Rama ka përdorur shumicën parlamentare për të ndërhyrë në sistemin e drejtësisë, duke penguar, sipas tij, hetime të rëndësishme. Ai theksoi se vendimi për të bllokuar veprimet e drejtësisë përbën një akt antikushtetues dhe një goditje ndaj ndarjes së pushteteve.
Sipas Berishës, mazhoranca ka përdorur “83 mandatet” për të vendosur kontroll mbi institucionet, ndërsa shtoi se ky veprim erdhi në një moment kur, sipas tij, hetimet ndaj ish-zyrtarëve të lartë po avanconin.
Duke iu referuar çështjes së ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, ai deklaroi se “dosja Balluku është dosja Rama”, duke sugjeruar se përgjegjësia politike shkon përtej individëve të përfshirë drejtpërdrejt në hetim.
Berisha gjithashtu akuzoi qeverinë për lidhje me krimin dhe për përdorim të pushtetit në funksion të mbrojtjes së interesave të ngushta, duke e cilësuar drejtimin aktual të vendit si një “bandë kriminale”.
Deklaratat e tij vijnë në një klimë të tensionuar politike, ku përplasjet mes opozitës dhe mazhorancës janë intensifikuar, sidomos në lidhje me drejtësinë, korrupsionin dhe proceset integruese të vendit.
