Emiri i Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, ka zhvilluar një bisedë telefonike me Presidentin amerikan Donald Trump, ku në qendër të diskutimit ka qenë marrëveshja e armëpushimit mes SHBA-së dhe Iranit.
Sipas raportimeve të agjencisë shtetërore të lajmeve të Katarit, gjatë telefonatës është diskutuar mbi zhvillimet e fundit në rajon dhe përpjekjet për të ruajtur stabilitetin në Lindjen e Mesme.
Emiri Al Thani ka theksuar se Katari do të vijojë koordinimin me partnerët ndërkombëtarë, me qëllim mbështetjen e iniciativave të ndërmjetësimit, të cilat aktualisht po udhëhiqen nga Pakistani.
Biseda mes dy liderëve vjen në një moment delikat për rajonin, ndërsa përpjekjet diplomatike për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve mbeten në fokus të aktorëve ndërkombëtarë.
