Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vizituar familjen e heroit Afrim Bunjaku, pas vendimit të Gjykata Themelore në Prishtinë për dënimin e autorëve të sulmit në Banjskë.
Në një reagim publik, Osmani u shpreh se vizita u bë në një moment të mbushur me dhimbje, por edhe krenari, duke theksuar se Bunjaku ra në krye të detyrës duke mbrojtur shtetin dhe sovranitetin e Kosovës.
“Sakrifica e tij sublime është dëshmi e çmimit të lartë të lirisë sonë”, u shpreh ajo, duke shtuar se figura e tij duhet të shërbejë si frymëzim për të mbrojtur vlerat dhe sigurinë e vendit çdo ditë.
Vizita vjen në të njëjtën ditë kur gjykata shpalli vendimin për sulmin në Banjskë, duke dënuar me burgim të përjetshëm dy prej autorëve, ndërsa një tjetër u dënua me 30 vite burg. Ngjarja, e cila tronditi vendin, pati si pasojë humbjen e jetës së efektivit të policisë, Afrim Bunjaku.
Autoritetet e Kosovës e kanë cilësuar sulmin si akt terrorist, ndërsa vendimi i gjykatës konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt vendosjes së drejtësisë për një nga ngjarjet më të rënda të viteve të fundit në vend.
