Një valë e gjerë sulmesh kibernetike ka goditur Gjermaninë, ku rreth 300 zyrtarë të lartë dyshohet se kanë rënë pre e skemave “phishing” përmes aplikacionit të komunikimit Signal.
Mes viktimave është edhe Julia Klöckner, ndërsa objektivat kanë përfshirë politikanë, diplomatë, personel ushtarak dhe gazetarë. Sipas autoriteteve, përmes kësaj metode sulmuesit mund të kenë fituar akses në bisedat private dhe listat e kontakteve të përdoruesve.
Raportohet se edhe të dhënat e kontaktit të kancelarit Friedrich Merz mund të jenë ekspozuar, ndërkohë që nuk përjashtohet përdorimi i informacionit të marrë për qëllime shantazhi.
Shërbimi Federal për Mbrojtjen e Kushtetutës ka bërë të ditur se bëhet fjalë për një fushatë të organizuar dhe të sofistikuar, që synon figura kyçe në jetën publike. Edhe pse shkalla e plotë e dëmit nuk është ende e qartë, rasti është cilësuar si “jashtëzakonisht shqetësues” nga përfaqësues të institucioneve të sigurisë.
Sipas raportimeve të Der Spiegel, pas sulmeve mund të qëndrojë një aktor i mbështetur nga një shtet, ndërsa në nivel ndërkombëtar dyshimet shpesh lidhen me grupe të afërta me shërbimet ruse të inteligjencës.
Autoritetet gjermane kanë theksuar se komunikimet zyrtare të qeverisë zhvillohen përmes kanaleve të sigurta, por kanë paralajmëruar se sulme të tilla janë në rritje dhe po bëhen gjithnjë e më të sofistikuara.
Qytetarëve dhe zyrtarëve u është bërë thirrje të tregojnë kujdes maksimal ndaj mesazheve të dyshimta, pasi fushata e sulmeve konsiderohet ende aktive.
