Kreu i Inspektoratit të Përgjithshëm, Dashnor Sula, ka paralajmëruar masa të forta dhe kontrolle të befasishme në treg, pas një rasti të rëndë që lidhet me sigurinë ushqimore.
Sula konfirmoi se janë marrë 15 masa disiplinore ndaj inspektorëve të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në Shkodër, ku 10 prej tyre janë shkarkuar nga detyra. Ky vendim erdhi pas zbulimit të një sasie misri të kontaminuar me aflatoksinë B1, një substancë e rrezikshme për shëndetin.
Sipas tij, rasti përbën një alarm serioz për mënyrën si janë kryer kontrollet dhe një mesazh të qartë për çdo inspektor që neglizhon detyrën.
“Për çdo rast sinjalizimi do të ketë ndëshkim. Nuk do të ketë tolerime,” theksoi ai, duke shtuar se inspektimet në terren do të intensifikohen dhe do të kryhen pa paralajmërim, si në subjektet tregtare ashtu edhe në linjat e prodhimit.
Sula pranoi se ka ende problematika në funksionimin e inspektoriateve, por theksoi se situata është nën monitorim dhe çdo shkelje do të trajtohet me seriozitet maksimal, duke garantuar rritjen e përgjegjshmërisë në këtë sektor kritik.
