Rritja e çmimit të naftës ka nxitur reagimin e fortë të shoqatave të biznesit në Shqipëri, të cilat i kanë paraqitur qeverisë një paketë me gjashtë kërkesa konkrete për të zbutur efektet negative në ekonomi. Sipas tyre, karburanti është një element kyç për funksionimin e çdo sektori dhe shtrenjtimi i tij po krijon një efekt zinxhir që prek prodhimin, shërbimet dhe konsumatorët.
Shoqatat theksojnë se rritja e kostove të karburantit po çon në ulje të fuqisë blerëse, rritje të çmimeve dhe dobësim të konkurrueshmërisë së bizneseve, duke paralajmëruar se pa ndërhyrje mund të ketë mbyllje aktivitetesh dhe humbje të vendeve të punës.
Kërkesa kryesore e tyre është rishikimi i barrës fiskale mbi karburantet, të cilën e konsiderojnë të lartë dhe të rëndë për ekonominë. Sipas bizneseve, një ulje e përkohshme dhe e targetuar e taksave do të ndihmonte në stabilizimin e tregut, në përputhje me praktikat e vendeve të Bashkimit Evropian në situata krize.
Një tjetër shqetësim i ngritur është mungesa e transparencës në përcaktimin e çmimeve të naftës. Shoqatat kërkojnë publikimin e rregullt të strukturës së çmimit dhe sqarimin e faktorëve që ndikojnë në të, përfshirë tregjet ndërkombëtare, taksat dhe marzhet e fitimit.
Po ashtu, bizneset kërkojnë forcimin e kontrollit të tregut për të garantuar konkurrencë të ndershme dhe për të parandaluar abuzimet apo marrëveshjet e fshehta. Ata theksojnë nevojën për monitorim aktiv të operatorëve dhe luftë ndaj informalitetit.
Në fokus të kërkesave është edhe mbështetja për sektorët më të goditur, si transporti, bujqësia, industria prodhuese, fasoneria dhe turizmi, të cilët sipas tyre kanë nevojë për masa konkrete lehtësuese për të përballuar rritjen e kostove.
Në planin afatmesëm dhe afatgjatë, shoqatat propozojnë krijimin e rezervave strategjike të naftës, diversifikimin e burimeve të energjisë dhe rritjen e investimeve në energji alternative, për të reduktuar varësinë nga importet.
Gjithashtu, ato kërkojnë një dialog të hapur dhe të vazhdueshëm mes qeverisë dhe biznesit, në mënyrë që masat kundër krizës energjetike të jenë të zbatueshme dhe të ndihmojnë në ruajtjen e stabilitetit ekonomik.
Deklarata është nënshkruar nga 12 organizata të biznesit, përfshirë Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë dhe Forumi Ekonomik Mbarëshqiptar, të cilat paralajmërojnë pasoja serioze nëse nuk merren masa në kohë.
