Mungon sërish në gjyq, GJKKO gjobit dhe paralajmëron Majlinda Bufin: Procesi do vijojë edhe pa ju

Data

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka shtyrë edhe një herë seancën gjyqësore ndaj ish-kryebashkiakes së Roskovecit, Majlinda Bufi, për shkak të mungesës së saj dhe të avokatëve mbrojtës.

Kjo është hera e radhës që procesi shtyhet për të njëjtën arsye, duke krijuar një precedent që ka detyruar gjykatën të ndërmarrë masa më të ashpra. GJKKO ka vendosur t’u vendosë gjobë prej 5 mijë eurosh secilit prej avokatëve mbrojtës, ndërsa ka dhënë edhe një ultimatum të qartë: nëse në seancën e ardhshme palët nuk paraqiten, gjyqi do të vijojë pa praninë e tyre.

Seanca e sotme ishte parashikuar për fazën e mbrojtjes, ndërsa më herët SPAK ka kërkuar dënimin e Bufit me 1 vit e 6 muaj burg për veprën penale “përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”.

Megjithatë, sipas kërkesës së prokurorisë, ish-kryebashkiakja nuk pritet të vuajë dënim me burg, pasi është sugjeruar pezullimi i tij dhe vendosja në “Shërbim Prove” për një periudhë 2-vjeçare.

Çështja mbetet në proces, ndërsa vendimi përfundimtar pritet pas zhvillimit të seancave të ardhshme.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related