Alarm në Evropë për produktet e HiPP: gjendet helm minjsh në ushqimin për foshnje, dyshohet sabotim kriminal dhe tërhiqen produktet nga tregu

Data

Autoritetet në Austri kanë ngritur alarmin për sigurinë ushqimore pas zbulimit të një kavanozi me ushqim për foshnje të kompanisë HiPP, i cili përmbante helm për minjtë. Rasti është raportuar nga një klient në rajonin e Burgenlandit, ndërsa fatmirësisht foshnja nuk e kishte konsumuar produktin.

Sipas policisë, kavanozi me pure karrote dhe patate dyshohet të jetë manipuluar qëllimisht, duke ngritur dyshime për një akt kriminal. Autoritetet paralajmërojnë se mund të ketë edhe raste të tjera në qarkullim, ndërsa hetimet janë koordinuar edhe me Gjermaninë. Produkte të dyshuara janë identifikuar dhe sekuestruar gjithashtu në Republikën Çeke dhe Sllovaki.

Kompania HiPP ka reaguar menjëherë duke tërhequr produktet nga tregu në bashkëpunim me rrjetin e supermarketeve Spar në Austri. Sipas saj, produktet kanë dalë nga fabrika në gjendje të rregullt dhe incidenti lidhet me ndërhyrje të jashtme të qëllimshme.

Si masë sigurie, Spar ka hequr këto produkte edhe në vende të tjera, ndërsa konsumatorëve u kërkohet të kontrollojnë paketimet për shenja manipulimi si kapakë të dëmtuar, mungesë vule sigurie apo erë të pazakontë. Prindërit këshillohen të mos i përdorin produktet dhe t’i kthejnë ato për rimbursim.

Autoritetet u bëjnë thirrje familjeve që në rast se fëmijët shfaqin simptoma si dobësi apo gjakderdhje pas konsumimit, të kontaktojnë menjëherë mjekun. Ndërkohë theksohet se produktet e tjera të kompanisë, përfshirë formulat për foshnje, nuk janë të prekura nga ky rast.

Ngjarja ka rritur shqetësimet për sigurinë e ushqimeve për foshnje në Evropë, duke rikthyer vëmendjen te kontrollet dhe mbrojtja e zinxhirit të furnizimit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related