Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka ndërmarrë një ndryshim të rëndësishëm në mënyrën e funksionimit të Policisë Rrugore, duke urdhëruar ndërprerjen e ndalimeve rutinë të automjeteve për “verifikim”.
Sipas një telegrami të shpërndarë në të gjitha drejtoritë vendore, ky vendim vjen pas shqetësimeve të ngritura nga drejtuesit e mjeteve për ndalime të pajustifikuara dhe vonesa gjatë udhëtimeve. Në dokument theksohet se, duke nisur nga data 10 prill, ndalimet pa bazë të qartë ligjore duhet të ndërpriten menjëherë.
Në vend të kontrolleve fizike të shpeshta në rrugë, policia do të mbështetet më shumë te teknologjia. Shkeljet e qarkullimit rrugor do të evidentohen përmes radarëve automatikë për shpejtësinë dhe përdorimit të dronëve, duke reduktuar kontaktin e drejtpërdrejtë me drejtuesit e mjeteve.
Në rastet kur kërkohet ndërhyrje në terren, udhëzimi parashikon që të hartohen plane të qarta kontrolli dhe në krye të operacioneve të jenë drejtuesit e strukturave të Policisë Rrugore.
Ky vendim synon rritjen e transparencës dhe efikasitetit në kontrollin e qarkullimit, si dhe shmangien e abuzimeve apo praktikave të panevojshme ndaj qytetarëve në rrugë.
