Ministri i Jashtëm i Bosnje-Hercegovinës, Elmedin Konaković, ka ashpërsuar tonet ndaj Serbi, duke deklaruar se marrëdhëniet e mira fqinjësore nuk mund të ndërtohen për sa kohë, sipas tij, mbrohen apo fshihen kriminelë lufte.
Në një reagim publik, Konaković theksoi se Ballkani ka nevojë për një lidership të ri politik, duke kritikuar klasën aktuale politike në rajon. Ai akuzoi gjithashtu presidentin serb Aleksandar Vučić se po nxit tensione përmes deklaratave mbi aleanca rajonale, të cilat sipas tij rikthejnë narrativa të vjetra dhe të rrezikshme.
“Retorika që krijon zhurmë për luftë nuk i shërben stabilitetit,” u shpreh Konaković, duke nënvizuar se e kaluara duhet adresuar me përgjegjësi për të ndërtuar një të ardhme më të qëndrueshme.
Deklaratat e tij kanë sjellë reagimin e ministrit të Jashtëm serb, Marko Đurić, i cili mbrojti qëndrimet e Vuçiçit dhe theksoi se Serbia mbetet e përkushtuar ndaj stabilitetit në rajon.
Në debat u përfshi edhe Amer Kapetanović, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, i cili theksoi se paqja nuk mund të mbahet vetëm me deklarata politike. Sipas tij, stabiliteti afatgjatë kërkon bashkëpunim konkret ekonomik, zhvillim të infrastrukturës dhe funksionim të institucioneve.
Përplasja e fundit mes zyrtarëve të lartë tregon se tensionet politike në Ballkan mbeten të ndjeshme, ndërsa çështjet historike vijojnë të ndikojnë në marrëdhëniet mes vendeve të rajonit.
