Marta Kos kundër modelit Rama–Vuçiç: “Nuk ka anëtarësim ‘light’ në Bashkimi Evropian, Shqipëria mund të hyjë para 2030 vetëm me reforma të plota”

Data

Komisionerja evropiane për zgjerimin, Marta Kos, ka dhënë një mesazh të qartë për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimi Evropian: nuk ekziston një rrugë e shkurtuar apo “anëtarësim i lehtësuar”.

Në një intervistë për Atlantic Council, ajo theksoi se Shqipëria ka mundësi reale për t’u bërë pjesë e BE-së edhe para vitit 2030, por vetëm nëse vijon me ritmin e reformave dhe përmbush të gjitha kriteret e kërkuara.

Kos u ndal edhe te ideja e një modeli të ndërmjetëm integrimi, e propozuar në një letër të përbashkët nga kryeministri Edi Rama dhe presidenti serb Aleksandar Vučić, duke e refuzuar qartë këtë qasje.

“Nuk ka anëtarësim ‘light’. Ose je anëtar dhe gëzon të gjitha të drejtat, ose nuk je,” deklaroi ajo, duke shtuar se roli i saj është të ndihmojë vendet kandidate të bëhen anëtare të plota dhe jo të krijojë modele alternative.

Sipas saj, procesi i zgjerimit mbetet i bazuar në meritë dhe në përmbushjen e standardeve të vendosura nga traktatet evropiane. Ajo nënvizoi gjithashtu se progresi i Shqipërisë dhe Malit të Zi është inkurajues, ndërsa ky i fundit mund të jetë vendi i radhës që i bashkohet BE-së.

Deklarata e Kos vjen në një moment kur debati për ritmin e integrimit dhe alternativat e mundshme është intensifikuar në rajon. Megjithatë, mesazhi i Brukselit mbetet i prerë: rruga drejt anëtarësimit kalon vetëm përmes reformave të plota dhe standardeve të qarta, pa kompromise politike.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related