Një krim i rëndë ka tronditur Málaga, ku një 31-vjeçar shqiptar është ekzekutuar dhe më pas trupi i tij është hedhur në një rezervuar, i futur brenda një thesi dhe i lidhur me materiale të rënda për t’u fundosur.
Sipas autoriteteve spanjolle, viktima dyshohet se ra në një kurth të organizuar nga autorët, të cilët e joshën me pretekstin e një marrëveshjeje biznesi. Ai u pa për herë të fundit pasi hipi në një automjet me persona të njohur për të, duke u drejtuar drejt një zone të izoluar malore.
Trupi i pajetë u zbulua disa muaj më vonë në rezervuarin Casasola në zonën e Almogía-s, në gjendje të avancuar dekompozimi. Brenda thesit u gjetën edhe blloqe betoni, që dyshohet se ishin përdorur për të zhdukur gjurmët e krimit duke e mbajtur trupin nën ujë.
Hetimet çuan në arrestimin e tre personave në Barcelona: dy shtetas shqiptarë, 36 dhe 45 vjeç, si dhe një grua spanjolle, e cila dyshohet se ndihmoi në realizimin e krimit duke marrë me qira automjetin e përdorur.
Sipas policisë, motivi kryesor lidhet me larjen e hesapeve mes grupeve kriminale që operojnë në trafikun ndërkombëtar të drogës dhe kontrollin e territorit. Autoritetet bëjnë me dije se viktima jetonte një jetë luksoze në Spanjë, çka dyshohet se lidhet me aktivitetet e paligjshme.
Hetimi, i zhvilluar nga strukturat e krimit të organizuar në bashkëpunim me njësi të specializuara në Costa del Sol, ka zbuluar gjithashtu se familjarët e viktimës janë kërcënuar për të mos ndjekur çështjen.
