Vrasja e Liridona Ademaj/ Seancë vendimtare në gjykatë, priten fjalët përfundimtare për Naim Murseli dhe bashkëakuzuarit

Data

Në Kosovë do të zhvillohet sot një nga seancat më të rëndësishme në procesin gjyqësor për vrasjen e Liridona Ademaj, një ngjarje që ka tronditur opinionin publik.

Seanca, e cila ka nisur në orën 09:30, pritet të përfshijë paraqitjen e fjalëve përfundimtare nga palët, një hap kyç përpara shpalljes së vendimit nga gjykata.

Të akuzuar në këtë çështje janë bashkëshorti i viktimës, Naim Murseli, si dhe Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla, të cilët sipas prokurorisë kanë qenë të përfshirë në planifikimin dhe ekzekutimin e krimit.

Sipas aktakuzës, tre të pandehurit dyshohet se kishin rënë dakord paraprakisht për vrasjen, ndërsa ekzekutimi i saj i ishte besuar Granit Plavës kundrejt një pagese prej 30 mijë eurosh, të premtuar nga Murseli.

Prokuroria pretendon se i gjithë skenari është organizuar nga vetë Murseli, i cili dyshohet se ka vepruar për motive që lidhen me konfliktet familjare dhe martesore. Në dosje thuhet gjithashtu se fillimisht plani i ishte propozuar Kushtrim Kokallës, i cili nuk kishte pranuar të merrte pjesë drejtpërdrejt, por kishte ndërmjetësuar kontaktin mes Murselit dhe autorit të dyshuar të ekzekutimit.

Në hetime përmendet edhe arma e krimit, e cila dyshohet se është siguruar nga Murseli përmes një personi tjetër, i cili tashmë ka pranuar fajësinë dhe është dënuar me burgim.

Kjo seancë konsiderohet vendimtare për zbardhjen përfundimtare të një prej rasteve më të rënda kriminale në Kosovë, ndërsa vendimi i gjykatës pritet me interes të lartë nga publiku.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related