Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do të zhvillojë sot një vizitë zyrtare në Spanjë, pas qëndrimit të tij në Itali, ku pati një takim me kryeministren Giorgia Meloni.
Gjatë qëndrimit në Barcelonë, Rama pritet të marrë pjesë në punimet e Samitit të katërt “Në Mbrojtje të Demokracisë”, një forum ndërkombëtar që mbledh liderë dhe përfaqësues nga vende të ndryshme për të diskutuar sfidat aktuale të sistemeve demokratike.
Në fokus të këtij samiti do të jenë çështje si forcimi i institucioneve demokratike, lufta kundër dezinformimit, roli i teknologjisë digjitale dhe rëndësia e multilateralizmit në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur.
Në kuadër të agjendës së vizitës, kreu i qeverisë shqiptare do të zhvillojë edhe takime dypalëshe me homologun spanjoll Pedro Sánchez dhe me Presidentin e Këshillit Europian, António Costa.
Këto takime pritet të fokusohen në marrëdhëniet dypalëshe, procesin e integrimit europian të Shqipërisë dhe zhvillimet aktuale në rajon dhe më gjerë.
