Protesta e radhës e opozitës, e organizuar nga Partia Demokratike e Shqipërisë, do të zhvillohet këtë të premte në Tiranë, duke sjellë kufizime të ndjeshme në qarkullimin e automjeteve në disa nga akset kryesore të kryeqytetit.
Sipas njoftimit të Policisë së Tiranës, tubimi do të mbahet nga ora 19:00 deri në 22:00 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara godinës së Kryeministrisë.
Në kuadër të garantimit të rendit dhe sigurisë, autoritetet kanë marrë masa për bllokimin dhe devijimin e trafikut në disa zona kyçe:
- Që nga ora 23:45 e datës 16 prill deri në përfundim të protestës, do të ndalohet parkimi dhe qarkullimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga “Ura e Dajtit” deri te rruga “Ismail Qemali”.
- Nga ora 15:00 e datës 17 prill, do të bllokohet lëvizja e automjeteve në segmentin nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”.
- Gjithashtu, kufizime do të ketë edhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Policia apelon qytetarët që të shmangin lëvizjen me automjete në këto akse gjatë orareve të përcaktuara dhe të përdorin rrugë alternative për të evituar trafikun.
Ndërkohë, organizatorët e protestës pritet të mbajnë fjalime përpara Kryeministrisë, ndërsa nuk përjashtohet që tubimi të marrë zhvillime të tjera gjatë mbrëmjes.
