Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ka reaguar me tone të ashpra ndaj Ministria e Shëndetësisë, pas përgjigjes së kësaj të fundit lidhur me akuzat për mungesa në spitalin e Lushnjës.
Në një postim në rrjetet sociale, Korreshi publikoi një listë të gjatë medikamentesh që sipas tij mungojnë në këtë spital, duke e cilësuar situatën si alarmante dhe të papranueshme për një sistem shëndetësor publik.
Ai theksoi se ndër ilaçet që mungojnë përfshihen medikamente bazë si paracetamoli intravenoz, omeprazoli, tramadoli, diklofenaku dhe antibiotikë të rëndësishëm si ceftriaksoni, levofloksacina dhe amikacina.
Sipas deputetit, mungesat ndihen veçanërisht në urgjencë, pediatri, maternitet dhe repartin infektiv, ku pacientët shpesh detyrohen t’i blejnë vetë ilaçet, pasi spitali nuk i siguron.
Korreshi ngriti shqetësimin se në disa raste mjekët detyrohen të ndryshojnë terapitë për shkak të mungesës së medikamenteve të nevojshme, çka sipas tij rrezikon trajtimin e duhur të pacientëve, veçanërisht të fëmijëve.
Reagimi i tij vjen pas një debati publik mbi gjendjen e shërbimeve shëndetësore, ku opozita akuzon për mungesa dhe keqmenaxhim, ndërsa institucionet përgjegjëse i hedhin poshtë këto pretendime.
Deputeti paralajmëroi se do të vijojë denoncimet edhe në ditët në vijim, duke theksuar se situata në terren kërkon ndërhyrje të menjëhershme për të garantuar shërbim dinjitoz për qytetarët.
