Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatović, ka deklaruar se objektivi për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian deri në vitin 2028 mbetet realist, duke theksuar se synimi është integrimi i plotë dhe jo forma alternative.
Gjatë një vizite në Berlin, ku u takua me anëtarë të Bundestagut dhe mbajti një fjalim në Komisionin për Çështjet Europiane, Milatoviç u shpreh se Mali i Zi synon të mbyllë të gjithë kapitujt e negociatave brenda këtij ose vitit të ardhshëm, në mënyrë që periudha 2027–2028 t’i dedikohet ratifikimit të anëtarësimit nga vendet anëtare.
Ai theksoi se pranimi i Malit të Zi do të kishte një ndikim më të gjerë në rajon, duke dhënë një sinjal pozitiv për vendet e tjera kandidate se procesi i zgjerimit të BE-së mbetet aktiv.
I pyetur për propozimin e bërë nga Edi Rama dhe Aleksandar Vučić për një integrim të pjesshëm në tregun e vetëm dhe zonën Shengen pa anëtarësim të plotë, Milatoviç tha se një ide e tillë është legjitime, por nuk është rruga që ndjek Mali i Zi.
Sipas tij, vendi do të vazhdojë procesin tradicional të negociatave për t’u bërë anëtar i plotë i Bashkimit Europian, si të gjitha shtetet që janë anëtarësuar deri më tani.
Milatoviç pranoi gjithashtu se mbështetja për zgjerimin në disa vende të BE-së, si Gjermania dhe Franca, nuk është e njëjtë, por theksoi se Mali i Zi po punon për të bindur jo vetëm qeveritë, por edhe parlamentet dhe aktorët politikë në këto vende për përfitimet e anëtarësimit të tij.
