Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, ka zhvilluar një interpelancë me ministrin e Infrastrukturës, Enea Karakaçi, lidhur me projektin e portit të ri tregtar në Porto Romano.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Kapri e cilësoi Korridorin VIII si projektin më të rëndësishëm strategjik për Shqipërinë, duke theksuar se roli i portit të Durrësit është vendimtar për pozicionimin e vendit në ekonominë europiane dhe në infrastrukturën e NATO-s.
Ai bëri të ditur se janë siguruar rreth 500 milionë euro për ndërtimin e hekurudhës Durrës–Qafë Thanë, por paralajmëroi se ky investim rrezikohet nga mënyra se si po menaxhohet projekti i portit të ri.
Kapri ngriti dyshime për anulimin e tenderit të portit, duke theksuar se nuk është dhënë transparencë për këtë vendim dhe se nuk është mbajtur garancia financiare nga kompania pjesëmarrëse. Ai shtoi gjithashtu se kompani të njohura ndërkombëtare janë përjashtuar nga gara, ndërsa çështja, sipas tij, është tashmë në hetim.
Në vijim, deputeti ngriti shqetësimin se ndërtimi i një porti me kapacitet më të vogël mund të dëmtojë rolin strategjik të Shqipërisë, duke favorizuar porte konkurruese në rajon si ato të Greqisë.
Ai kërkoi sqarime nga ministri për disa çështje kyçe, përfshirë ndikimin e faktorëve të jashtëm në projekt, fatin e portit aktual të Durrësit, mundësinë e hapjes së një tenderi të ri dhe specifikat teknike të projektit të ri të Porto Romanos.
Debati për portin e ri dhe rolin e tij në Korridorin VIII mbetet një nga temat më të rëndësishme strategjike dhe ekonomike në vend.
