Kompania Arlis Ndërtim ka reaguar zyrtarisht pas zjarrit që përfshiu një pallat në Tiranë, duke shprehur solidaritet me banorët e prekur dhe duke premtuar rindërtimin e plotë të objektit.
Në deklaratën për shtyp, kompania thekson se ndërtesa është realizuar në përputhje me lejen e ndërtimit dhe standardet ligjore në fuqi, pa shtesa të paautorizuara, ndërsa procesi i ndërtimit është kontrolluar dhe certifikuar nga institucionet përkatëse.
Sipas saj, për realizimin e fasadës janë angazhuar kompani të specializuara dhe të licencuara, të cilat kanë zbatuar standardet përkatëse teknike.
Megjithatë, edhe pse kompania deklaron se nuk mban përgjegjësi ligjore për ngjarjen sipas të dhënave paraprake, ajo është angazhuar që në kuadër të përgjegjësisë sociale të mbulojë kostot për rindërtimin e fasadës dhe rikthimin e apartamenteve të dëmtuara në gjendjen e mëparshme.
Gjithashtu, bëhet me dije se objekti ka kaluar të gjitha procedurat ligjore që prej vitit 2021, përfshirë kolaudimin dhe dorëzimin tek banorët.
Në përfundim, kompania është shprehur e gatshme të bashkëpunojë me institucionet dhe ekspertët për zbardhjen e plotë të shkaqeve të zjarrit, duke garantuar transparencë dhe mbështetje për familjet e prekura.
