Zjarri i fuqishëm që përfshiu një kompleks banimi pranë QSUT në Tiranë ka rikthyer në vëmendje problematikat serioze të cilësisë së ndërtimit, veçanërisht në lidhje me materialet e përdorura në fasada.
I ftuar në një emision televiziv, inxhinieri Romeo Nazarko deklaroi se përdorimi i materialeve jashtë standardeve bashkëkohore është një nga arsyet kryesore që çon në përhapjen e shpejtë të flakëve në ndërtesa.
Sipas tij, një situatë e tillë ishte paralajmëruar që në vitin 2024, pas një rasti të ngjashëm kur një pallat në zonën e ish-Parkut në Tiranë u përfshi nga zjarri. Në atë kohë, një grup inxhinierësh i kishin kërkuar Kuvendit ngritjen e “Urdhrit të Inxhinierit”, si një mekanizëm për të rritur kontrollin dhe standardet në sektorin e ndërtimit.
“Në shkresën e dërguar evidentohej qartë se djegia e fasadave kishte ardhur si pasojë e materialeve jashtë standardeve,” u shpreh Nazarko, duke shtuar se shumë nga materialet që përdoren në Shqipëri importohen pa kontrolle të mjaftueshme.
Ai theksoi se në vendet e Bashkimit Evropian aplikohen teste të detyrueshme për rezistencën ndaj zjarrit, të cilat kryhen pas vendosjes së fasadës dhe përpara se ndërtesa të bëhet e banueshme, një praktikë që sipas tij mungon në vend.
“Kur sheh një pallat që digjet si karton, është e qartë që materialet nuk janë cilësore,” u shpreh ai, duke ngritur shqetësimin se raste të tilla mund të përsëriten nëse nuk merren masa konkrete.
Deklaratat e tij vijnë në një moment kur autoritetet po hetojnë shkaqet e zjarrit të fundit, ndërsa ekspertët kërkojnë rritje të standardeve dhe kontrolleve për të parandaluar tragjedi të ngjashme në të ardhmen.
