Zjarri i madh që përfshiu një pallat 12-katësh pranë QSUT në Tiranë ka shkaktuar jo vetëm dëme të mëdha materiale, por edhe reagime të forta nga banorët e zonës, të cilët akuzojnë për ndërhyrje të vonuar dhe mungesë të kapaciteteve.
Sipas dëshmive të tyre, flakët kanë nisur rreth orës 14:30 dhe kanë vijuar për orë të tëra, ndërsa ndërhyrja e zjarrfikësve është konsideruar e pamjaftueshme. Banorët shprehen se për një kohë të gjatë në vendngjarje ka qenë vetëm një mjet zjarrfikës, ndërkohë që flakët vijonin të përhapeshin.
“Ka katër orë që zjarri është aktiv dhe vetëm një zjarrfikëse. Mjetet mungojnë,” shprehet një qytetare, ndërsa të tjerë pretendojnë se në disa momente ndërhyrja është ndërprerë për minuta të tëra.
Akuza të forta janë ngritur edhe për mungesë infrastrukture dhe vështirësi në akses, pasi sipas banorëve, rrugët e ngushta dhe bllokimi i hapësirave kanë penguar futjen e mjeteve zjarrfikëse në zonë.
“Vjen zjarrfikësja pa ujë, nuk ka nga të hyjë. Rruga është e bllokuar. Këto gjëra sikur bëhen me qëllim,” u shpreh një banor, duke shtuar se ndërhyrja mund të ishte bërë më herët për të shmangur përmasat e mëdha të zjarrit.
Disa prej banorëve deklarojnë se nuk kanë ende informacion për gjendjen e banesave të tyre për shkak të tymit dhe flakëve që kanë përfshirë zonën, ndërsa situata ka shkaktuar panik dhe pasiguri të madhe.
Ngjarja ka rikthyer në vëmendje problematikat e planifikimit urban dhe emergjencave në kryeqytet, ndërsa autoritetet pritet të japin një raport të plotë mbi shkaqet dhe menaxhimin e situatës.
