Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas zjarrit të fuqishëm që përfshiu një pallat pranë QSUT në Tiranë, duke ngritur akuza të forta për mënyrën e ndërtimit të objektit.
Në një postim në rrjetet sociale, Berisha u shpreh se godina “u dogj si kasolle kashte”, duke pretenduar se ajo ishte ndërtuar jashtë çdo standardi teknik dhe sigurie.
Ai akuzoi gjithashtu se pallati i përket biznesmenit Arlis Lena, të cilin e cilësoi si “klient” të kryeministrit Edi Rama.
Sipas Berishës, ky ndërtim është denoncuar prej kohësh nga Partia Demokratike në organet e drejtësisë. “Ky ndërtim është denoncuar nga PD në prokurori prej shumë kohësh. Pra është një krim që mbrohet nga shteti,” u shpreh ai.
Reagimi i liderit të opozitës vjen në një kohë kur autoritetet vijojnë hetimet për shkaqet e zjarrit dhe përmasat e dëmeve të shkaktuara në kompleksin e banimit, ndërsa operacioni për shuarjen e plotë të flakëve është drejt përfundimit.
