Zjarri i madh që përfshiu kompleksin “Arlis sh.p.k” pranë QSUT në Tiranë është drejt neutralizimit, ndërsa forcat zjarrfikëse vijojnë ndërhyrjen në terren për shuarjen përfundimtare të flakëve.
Drejtori i zjarrfikëses së Tiranës, Shkëlqim Goxhaj, deklaroi se situata është drejt normalizimit pasi vatra e zjarrit është izoluar. Ai bëri të ditur se në operacion janë angazhuar tre autoshkalla, të cilat po operojnë në disa anë të ndërtesës, ndërkohë që një grup zjarrfikësish po punon edhe nga brenda objektit me pajisje speciale.
Sipas tij, autoshkallat kanë luajtur rol kyç jo vetëm në shuarjen e flakëve, por edhe në evakuimin e banorëve që ndodheshin në rrezik. Ndërhyrja është kryer paralelisht nga jashtë dhe nga brenda, duke bërë të mundur izolimin e përhapjes së zjarrit.
Paraprakisht dyshohet se vatra e zjarrit ka nisur në katin e parë të pallatit, në një ambient biznesi, ndërsa përhapja e shpejtë është ndihmuar nga struktura e fasadës së ndërtesës.
Autoritetet bëjnë me dije se nuk ka informacion për viktima, ndërsa një ekspertizë e plotë pritet të përcaktojë shkaqet e sakta të zjarrit. Situata konsiderohet nën kontroll, ndërsa pritet përfundimi i plotë i operacionit në orët në vijim.
