Çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare kanë pësuar rënie, duke zbritur nën nivelin e 100 dollarëve për fuçi, pas sinjaleve për rifillimin e negociatave mes Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Iran.
Tregjet reaguan pozitivisht ndaj zhvillimeve të fundit diplomatike, pasi zyrtarë amerikanë konfirmuan se kontaktet mes palëve po vazhdojnë dhe se ka progres drejt një marrëveshjeje të mundshme. Edhe kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, deklaroi se përpjekjet për të zgjidhur konfliktin janë ende në zhvillim.
Presidenti Donald Trump tha se Irani ka shprehur interes për një marrëveshje, por theksoi se Uashingtoni nuk do të pranojë asnjë kompromis që lejon zhvillimin e armëve bërthamore nga Teherani.
Ndërkohë, tensionet në rajon mbeten të larta. Ngushtica e Hormuzit vijon të jetë një pikë kritike, pasi Irani ka kufizuar kalimin e anijeve, ndërsa SHBA ka paralajmëruar masa të forta ndaj çdo anijeje që shkel bllokadën.
Kjo rrugë detare është jetike për tregtinë globale të energjisë, pasi përmes saj kalon rreth një e pesta e furnizimit botëror me naftë dhe gaz.
Pavarësisht tensioneve dhe dështimit të bisedimeve të fundit në Islamabad, zyrtarë amerikanë kanë folur për “përparim të konsiderueshëm”, duke lënë të hapur mundësinë e një marrëveshjeje në të ardhmen e afërt.
Rënia e çmimit të naftës shihet si një sinjal pozitiv për ekonominë globale, megjithëse situata mbetet e paqëndrueshme dhe e varur nga zhvillimet gjeopolitike në Lindjen e Mesme.
