“17 prilli do të jetë revoltë e fuqishme”, Berisha thirrje për protestë: Shqiptarët në mbrojtje të interesave jetike dhe kundër krizës ekonomike

Data

Sali Berisha ka përsëritur thirrjen për pjesëmarrje në protestën e paralajmëruar më 17 prill, duke e cilësuar atë si një moment të rëndësishëm për reagimin qytetar.

Në një konferencë për mediat, Berisha u shpreh se kjo datë do të shënojë një “revoltë të fuqishme” të shqiptarëve në mbrojtje të interesave të tyre më jetike. Sipas tij, protesta do të jetë një reagim ndaj, siç tha ai, vjedhjeve të qeveritarëve dhe situatës së rëndë ekonomike në vend.

“Do jetë një revoltë e fuqishme e qytetarëve shqiptarë në mbrojtje të interesave të tyre më jetike, në mbrojtje nga vjedhjet e qeveritarëve dhe nga katastrofa ekonomike që po ndodh,” deklaroi kreu i Partisë Demokratike.

Gjatë fjalës së tij, Berisha u ndal edhe te rritja e çmimeve të karburanteve, duke theksuar ndikimin e tyre në ekonomi. Ai e cilësoi naftën si “gjakun e ekonomisë” dhe akuzoi qeverinë e Edi Rama për politika që, sipas tij, rëndojnë qytetarët dhe sektorin e bujqësisë.

Berisha solli si shembuj disa vende europiane, duke përmendur masa lehtësuese fiskale për karburantet dhe ushqimet, ndërsa kritikoi qasjen e qeverisë shqiptare, për të cilën tha se po çon drejt vështirësive ekonomike, veçanërisht për fermerët.

Protesta e 17 prillit është paralajmëruar nga opozita si një nga tubimet kryesore të kësaj periudhe, në kuadër të përballjes politike me qeverinë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related