Qindra fluturime janë anuluar në Gjermani, ndërsa pilotët e Lufthansa kanë hyrë në ditën e dytë të grevës, duke shkaktuar kaos në trafikun ajror dhe vonesa të shumta për pasagjerët.
Greva përfshin jo vetëm pilotët e Lufthansa-s, por edhe ata të degëve Lufthansa Cargo dhe Lufthansa CityLine, të cilët ndërprenë punën menjëherë pas mesnatës.
Vetëm në aeroportin e Frankfurtit, që është qendra kryesore e operacioneve të kompanisë dhe më i madhi në vend, janë anuluar mbi 1,100 fluturime gjatë dy ditëve të fundit. Ndërkohë, në aeroportin e Mynihut janë pezulluar edhe rreth 710 fluturime të tjera.
Aksioni sindikal është organizuar nga sindikata Vereinigung Cockpit, e cila kërkon rritje pagash, përmirësim të skemave të pensioneve dhe shpërblime më të mira për pilotët, veçanërisht në filialin rajonal CityLine.
Situata pritet të përkeqësohet më tej, pasi edhe stjuardesat e Lufthansa-s janë thirrur në grevë për ditët në vijim, duke shënuar një tjetër valë protestash në kompaninë ajrore gjatë këtij viti.
Nga ana tjetër, drejtori i burimeve njerëzore të Lufthansa-s, Michael Niggemann, ka paralajmëruar sindikatat për pasojat e vazhdimit të grevave, duke theksuar se çdo ditë ndërprerje pune dobëson ndjeshëm kompaninë.
Ndërkohë, disa shërbime, si ato të Eurowings, pritet të rikthehen gradualisht në normalitet, por ndikimi në udhëtime mbetet i konsiderueshëm për mijëra pasagjerë.
