Media zvicerane Aargauer Zeitung: Lufta e përgjakshme e klaneve shqiptare arrin në Zvicra, dyshohet për porosi vrasjeje nga deputet i lidhur me Edi Rama

Data

Lufta mes klaneve shqiptare ka kaluar kufijtë kombëtarë dhe ka mbërritur edhe në Zvicra, sipas një raportimi të gazetës së njohur Aargauer Zeitung, e cila ngre alarmin për përmasat ndërkombëtare të këtij fenomeni.

Në qendër të artikullit është rasti i 37-vjeçarit Jozi Kraja, i ekstraduar nga Zvicra drejt Shqipërisë, i cili dyshohet se ka qenë pjesë e një organizate kriminale të përfshirë në një komplot vrasjeje në kuadër të një përplasjeje të dhunshme mes klaneve.

Sipas medias zvicerane, rasti merr një dimension të ndjeshëm politik, pasi personi në fjalë dyshohet të ketë qenë pjesë e një grupi prej 16 personash, të ngarkuar për eliminimin e dy rivalëve, në një operacion që, sipas autoriteteve shqiptare, mund të jetë porositur nga një deputet i lidhur me Partinë Socialiste, forca politike e kryeministrit Edi Rama.

Gazeta nuk përmend emra konkretë, por referencat lidhen me një çështje të njohur në Shqipëri që përfshin ish-deputetin Arben Ndoka, në konflikt me një grup rival.

Në raportim theksohet se i ekstraduari ka kundërshtuar kthimin në Shqipëri, duke pretenduar se jeta e tij ishte në rrezik dhe duke shprehur mungesë besimi te sistemi i drejtësisë shqiptare. Ai ka deklaruar gjithashtu se familjarë të tij janë vrarë dhe se autoritetet shqiptare mbajnë përgjegjësi për këto ngjarje.

Megjithatë, Gjykata Federale Penale në Zvicër e hodhi poshtë ankesën e tij, duke e konsideruar të pabazuar mbrojtjen dhe duke miratuar ekstradimin. Aktualisht, ai ndodhet në Shqipëri, ku pritet të përballet me gjykimin së bashku me disa të pandehur të tjerë.

Artikulli i medias zvicerane ngre shqetësime për përhapjen e konflikteve kriminale shqiptare përtej kufijve dhe për ndërthurjen e tyre të mundshme me elementë politikë, duke e bërë çështjen edhe më të ndjeshme në planin ndërkombëtar.

Sqarim: Çdo person i përmendur konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia të provohet me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related