Detaje të reja kanë dalë nga operacioni i zhvilluar ndaj disa call center-ave në Tiranë, ku autoritetet kanë intensifikuar hetimet dhe kanë zgjeruar numrin e personave nën verifikim.
Sipas burimeve hetimore, janë caktuar 9 masa sigurie, ndërsa kontrollet janë ushtruar në tre struktura të ndryshme që operonin në katër ambiente, me një kapacitet të përgjithshëm prej rreth 300 poste pune. Këto call center-a dyshohet se funksiononin si skema mashtrimi ndaj shtetasve të huaj.
Hetimet paraprake kanë zbuluar se viktimat e dyshuara janë kryesisht qytetarë nga Austri, Itali, Spanjë, Greqi, Kanada dhe Shtetet e Bashkuara, të cilët dyshohet se janë mashtruar përmes skemave financiare dhe investimeve të rreme.
Gjatë operacionit janë shoqëruar disa persona, ndërsa ende nuk është vendosur nëse ndaj tyre do të aplikohen masa të mëtejshme sigurie. Një nga elementët më të rëndësishëm të aksionit ka qenë sekuestrimi i një shume të konsiderueshme parash, e cila sipas burimeve arrin në rreth 1 milion euro cash.
Sipas raportimeve, dy prej ambienteve të kontrolluara ndodheshin në një qendër biznesi në zonën e Rrugës së Kavajës, ku ishte përqendruar një pjesë e mirë e aktivitetit të këtyre strukturave.
Ndërkohë, një pistë e rëndësishme e hetimit lidhet me dyshimet për dekonspirim të operacionit, çka mund të ketë ndikuar në shmangien e disa personave të përfshirë nga arrestimi. Autoritetet po verifikojnë nëse ka pasur rrjedhje informacioni që mund të ketë komprometuar aksionin.
Operacioni vijon, ndërsa grupet hetimore po punojnë për identifikimin e plotë të personave të përfshirë dhe për dokumentimin e aktivitetit të dyshuar kriminal, që dyshohet se ka shtrirje ndërkombëtare.
