Rritja e vazhdueshme e çmimeve të karburanteve në Kosovo po rëndon ndjeshëm mbi qytetarët, të cilët e cilësojnë situatën si të papërballueshme dhe kërkojnë ndërhyrje për stabilizimin e tregut.
Sipas qytetarëve, shtrenjtimi i naftës nuk është një fenomen i izoluar, por pjesë e një krize më të gjerë që ka përfshirë edhe produktet ushqimore dhe shërbimet bazë. Ata theksojnë se rritja e çmimeve ka bërë që të kufizojnë përdorimin e automjeteve dhe të përballen me vështirësi të përditshme ekonomike.
“Të gjitha janë rritur: nafta, ushqimet, çdo gjë. Po përpiqemi ta përballojmë me pension,” u shpreh një qytetar, duke reflektuar shqetësimin e një pjese të madhe të popullsisë.
Një tjetër qytetar e përshkroi situatën si alarmante, duke thënë se përdorimi i makinës është reduktuar ndjeshëm për shkak të çmimeve të larta. “Është gjendje shumë e rëndë, jashtë çdo norme. Thuajse 70 për qind të kohës nuk mund të dalim me makinë,” u shpreh ai.
Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, çmimi i naftës ka arritur në 1.84 euro për litër, benzina në 1.44 euro, ndërsa gazi në 0.89 euro.
Qytetarët e lidhin këtë rritje me zhvillimet ndërkombëtare dhe tensionet në Lindjen e Mesme, duke theksuar se ndikimi i krizave globale po reflektohet drejtpërdrejt në ekonomitë familjare.
Ndërkohë, kërkesat për masa lehtësuese dhe ndërhyrje nga autoritetet po shtohen, në një kohë kur kostoja e jetesës vijon të rritet.
