Gjykata e Posaçme liron pas një viti paraburgim Ilia Ndoka, i ekstraduar nga Italia për dosjen “Revanshi”

Data

Gjykata e Posaçme ka vendosur lirimin nga paraburgimi të Ilia Ndoka, i cili kishte qëndruar rreth një vit në qeli pas ekstradimit nga Italia në prill të vitit 2025.

Vendimi vjen pas kërkesës së SPAK, që çoi në ndryshimin e masës së sigurisë nga “arrest në burg” në “detyrim paraqitje”. Ndoka akuzohet për pastrim parash në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, pjesë e dosjes së njohur si “Revanshi”.

Sipas hetimeve të SPAK, 50-vjeçari dyshohet se kishte rol kyç në menaxhimin financiar të aktivitetit kriminal, duke kryer pagesa dhe duke ndërmjetësuar transaksione që lidhen me shitjen dhe transportimin e lëndëve narkotike.

Në dosjen hetimore, e mbështetur edhe në komunikime të zbardhura nga platforma SKY ECC, Ndoka përshkruhet si personi që kujdesej për kanalizimin e fitimeve të aktivitetit kriminal drejt investimeve në biznese të ligjshme në Itali dhe Shqipëri.

Ilia Ndoka ishte arrestuar në Itali në maj të vitit 2024 dhe më pas u ekstradua në Shqipëri, ku qëndroi në paraburgim deri në vendimin e fundit të gjykatës.

Ndërkohë, në të njëjtën dosje përfshihet edhe ish-deputeti socialist Arben Ndoka, i cili vijon të jetë në kërkim ndërkombëtar. Hetimet për këtë çështje kanë zbuluar ekzistencën e disa grupeve kriminale të përfshira në aktivitet të organizuar.

Arsyet konkrete të lirimit dhe zbutjes së masës së sigurisë ndaj Ilia Ndokës nuk janë bërë ende publike, ndërsa procesi hetimor për dosjen “Revanshi” vijon.

Sipas ligjit, çdo person konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të provohet me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related