Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka reaguar ashpër për gjendjen e rënduar të infrastrukturës në zonën e Selitës në Tiranë, duke denoncuar publikisht mungesën e ndërhyrjes nga autoritetet vendore.
Në një video-mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Braçe shfaq pamje nga rruga kryesore e zonës, e cila sipas tij është e mbushur me gropa dhe në gjendje të degraduar prej muajsh. Ai theksoi se situata jo vetëm dëmton automjetet, por edhe krijon trafik të rënduar, sidomos gjatë orëve të pikut.
“Pirro, nuk po të marr më në telefon. U bënë muaj të tërë që është kjo gjendja,” shprehet Braçe në video, duke lënë të kuptohet për një komunikim të mëparshëm me drejtues lokalë për këtë problem.
Në reagimin e tij, deputeti shprehet i zhgënjyer nga mungesa e reagimit institucional, duke theksuar se pavarësisht ankesave të vazhdueshme, nuk është ndërmarrë asnjë masë konkrete për riparimin e rrugës. Ai shton se situata po përkeqësohet, ndërsa gropat janë shtuar dhe po zënë gjithë segmentin rrugor.
Braçe gjithashtu kritikon drejtuesit vendorë për neglizhencë, duke nënvizuar se qytetarët e zonës janë lënë pa zgjidhje, edhe pse janë kontribuues në proceset zgjedhore.
Denoncimi i tij vjen në një kohë kur problematikat e infrastrukturës urbane në kryeqytet vijojnë të jenë një shqetësim i vazhdueshëm për banorët, ndërsa reagime të tilla nga brenda mazhorancës shtojnë presionin për ndërhyrje më të shpejta nga institucionet përgjegjëse.
